Reaktori i fundit në termocentralin bërthamor të Zaporizhyas, të pushtuar nga Rusia, është mbyllur pasi luftimet vazhdojnë në zonë që prej tri vitesh. “Kjo do të thotë se të gjashtë njësitë e reaktorëve të uzinës janë tani në një gjendje mbylljeje të ftohtë. Asnjë radioaktivitet nuk ka shpëtuar gjatë procedurës”, shkroi në Telegram ekipi drejtues.
“Puna u krye në mënyrë rigoroze në përputhje me të gjitha standardet e zbatueshme të funksionimit”, shtoi ai. Termocentrali më i madh bërthamor në Evropë, me një kapacitet prej gati gjashtë gigavat, u pushtua nga trupat ruse menjëherë pas pushtimit të Ukrainës me urdhër të Kremlinit në shkurt 2022.
Ai u minua gjerësisht dhe u sulmua disa herë, duke nxitur shqetësimin ndërkombëtar për një aksident të mundshëm bërthamor. Të dyja palët ndërluftuese akuzuan vazhdimisht njëra-tjetrën se po përpiqeshin të provokonin një incident në uzinë, e cila u mbyll në shtator 2022 për shkak të rrezikut.