Pranvera është stina ku miliona njerëz në botë preken nga alergjitë stinore, prandaj duhet treguar shumë kujdes dhe duhen marrë masat e duhura dhe medikamentet e nevojshme.
Instituti i Shëndetit Publik informon se nuk ka mrekulli që mund të largojë të gjithë alergjenet nga ajri. Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që vuajnë nga alergjitë, ISHP jep disa këshilla:
– Përdorni ajër të kondicionuar në shtëpinë dhe makinën tuaj.
– Nëse përdorni ngrohjen me kondicioner, përdorni filtra HEPA me efikasitet të lartë dhe ndiqni rregullat e mirëmbajtjes së tyre.
– Përdorni një filtër portativ për ajër të pastër në dhomën tuaj të gjumit.
– Nëse parashikohet shtim i poleneve në ajër, filloni të merrni medikamente para fillimit të simptomave.
– Mbyllni dyert e dritaret gjatë natës dhe në çdo kohë që ka shtim të poleneve në ajër.
– Shmangni aktivitetet në natyrë në mëngjes herët kur ka rritje të poleneve në ajër.
– Zvogëloni ekspozimin ndaj të gjithë faktorëve që shkaktojnë alergji.
– Qëndroni në ambiente të mbyllura në ditë të thata e me erë; koha më e mirë për të dalë është pas një shiu të rrëmbyeshëm i cili pastron polenet nga ajri.
– Hiqni rrobat që keni qenë jashtë dhe bëni dush për të larguar polenet nga flokët dhe lëkura juaj.