Këshilli i botimeve i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) u mblodh sot për të vendosur për listën e veprave që do të botohen prej saj si ent botues gjatë vitit 2024. Kryetari i këshillit të botimeve akad. Skënder Gjinushi informoi anëtarët e tij për procedurën e ndjekur deri më tani sipas rregullores për veprimtarinë botuese të ASHSH. Kërkesat për botim i janë paraqitur ASHSH prej autorëve të tyre deri më 31 dhjetor 2023, në gjendje të përfunduar. Numri i veprave të miratuara për botim është 23, duke përfshirë disa tituj të miratuar qysh vjet, por të caktuar në kalendarin e botimeve të vitit 2024. Përparësi patën fjalorët dhe studimet gjuhësore,duke qenë se sivjet është Viti i Gjuhës Shqipe.
Kryetari Gjinushi njoftoi këshillin e botimeve se 32 tituj të tjerë janë miratuar nga këshillat shkencorë të instituteve të albanologjisë vitin e kaluar, janë kryer të gjitha procedurat e recensionimit dhe diskutimit shkencor, madje edhe prokurimi, por nuk u arrit të bëhej shtypshkrimi i tyre, prandaj janë një detyrim i bartur për shkak të riorganizimit dhe këshilli i botimeve në këtë rast njoftohet për ta gjykuar listën në tërësi lidhur me përputhjen me prioritetet e Akademisë, pa dubluar procedurat. Lista e tretë e titujve të përfshirë në programin e veprimtarisë vjetore botuese, që iu njoftua këshillit të botimeve, ishte ajo e veprave me karakter promovues dhe jubilar, 12 tituj, kryesisht akte të konferencave, libra-kushtim, botime në përvjetorë etj. Lista e periodikëve përmban 18 njësi për këtë vit.