Friday, November 22, 2024
HomeSOCIALEKOSOVAQeveria i bën thirrje Listës Serbe të mos ushtrojë presion ndaj serbëve...

Qeveria i bën thirrje Listës Serbe të mos ushtrojë presion ndaj serbëve për votimin në veri

Qeveria e Kosovës i ka bërë thirrje Listës Serbe që, siç tha, të mos përhapë dezinformata dhe të mos u bëjë presion qytetarëve të komunitetit serb në veri të Kosovës “që duan të jenë pjesë e procesit demokratik të 21 prillit”. Sipas një Udhëzimi Administrativ të Qeverisë së Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka caktuar për 21 prill votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Këtij votimi i parapriu mbledhja e nënshkrimeve për peticionin lidhur me zëvendësimin e kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave, të cilët u zgjodhën dhe morën detyrën në maj, pasi serbët bojkotuan zgjedhjet e prillit të vitit të kaluar. Peticioni u mbështet edhe nga Lista Serbe, por më 7 prill, kjo parti, që është partia kryesore e serbëve në Kosovë dhe gëzon mbështetjen e Beogradit, tha se nuk do të marrë pjesë në procesin e votimit “sepse kryeministri i Kosovës, [Albin] Kurti ka bërë gjithçka që procesi të mos jetë i suksesshëm”. “Ai [votimi i 21 prillit] është rezultat i kërkesës dhe nënshkrimeve të mbledhura nga qytetarë të Republikës së Kosovës, banorë të këtyre katër komunave.

Udhëzimi administrativ që parasheh mundësinë e largimit të kryetarëve të komunave, respekton vullnetin politik të qytetarëve”, tha Qeveria e Kosovës përmes një përgjigjeje dërguar Radios Evropa e Lirë. Ekzekutivi kosovar i bëri thirrje qytetarëve në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, që të shfrytëzojnë mundësinë dhe të drejtën e tyre për të votuar për apo kundër largimit të katër kryetarëve shqiptarë. Sipas udhëzimit, të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Dhe nëse votimi është i pasuksesshëm, një iniciativë e re mund të ndërmerret sërish pas 12 muajsh.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments