Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), risjell në vëmendje rëndësinë që ka Certifikata e Kompetencës Profesionale (CKP), si dhe mundësitë që ofron zotërimi i saj. Përmes një postimi në rrjetet sociale, DPSHTRR shpjegon se çdo subjekt i cili do të ushtrojë veprimtari të transportit rrugor për udhëtarë brenda apo jashtë vendit duhet të ketë drejtues veprimtarie të certifikuar me CKP. Pajisja me CKP ofron një mundësi më shumë për punësim në tregun e punës, si drejtues veprimtarie i subjektit të transportit rrugor brenda vendit të udhëtarëve.
CKP për transportin ndërkombëtar të udhëtarëve përfitohet nga kandidatët që kanë mbaruar arsimin e mesëm dhe që vërtetojnë se kanë një eksperiencë pune si administrator ose drejtor për një periudhë 3-vjeçare, pa ndërprerje në një ndërmarrje transporti rrugor, si dhe kandidatët që kanë mbaruar studimet e ciklit të parë në arsimin e lartë. Aplikimi për CPK bëhet pranë drejtorisë rajonale të shërbimeve të transportit rrugor ku ka vendbanimin aplikanti.