Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë ka shënuar një dyfishim të numrit të vizitorëve gjatë periudhës janar-mars të këtij viti në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se në periudhën janar-mars “muzeu u vizitua nga 13 637 vizitorë, nga të cilët 4560 të huaj. Të huajt vijojnë të tregojnë interes për t’u njohur me historinë e popullit shqiptar dhe në veçanti me atë të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu”.
“Vendet që kryesojnë janë vizitorët nga Italia me 35%, Kina me 30%, Spanja 20% dhe 15% janë vizitorë nga vendet e tjera”, tha Hafizi.
Hafizi bën të ditur se “ditët e para të prillit muzeu u vizitua nga rreth 80 studentë të shkollës DvM Humaniora Aalst, Belgjikë si dhe gjimnazistë nga Sofja, Bullgari”.
Nga janari deri në dhjetor të 2023 Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u vizitua nga 110,162 vizitorë, ku 50% ishin vizitorë të huaj, 30% vendas dhe 20% nxënës dhe studentë”.
Në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Në muze numërohen disa pavijone si, pavijoni i Antikitetit dhe Mesjetës së Hershme, pavijoni i Principatave Shqiptare, i Pushtimit Osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavijoni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës dhe së fundi pavijoni i trashëgimisë dhe i jehonës.
Në këto pavijone janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronzi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, kambana e vitit 1462, shpata origjinale të shekullit XV, etj.