Sunday, November 24, 2024
HomeMJEDISBrenda ishullit të Sazanit

Brenda ishullit të Sazanit

Për shumëkënd ishulli i Sazanit në Vlorë ishte mister për dekada. Aty dihej se ishte një bazë e rëndësishme ushtarake para dhe gjatë kohës së Shqipërisë komuniste. Herë pas here ishulli përdoret edhe për stërvitje nga ushtria shqiptare dhe nga NATO-ja.

Por, në vitin 2017, qeveria e Shqipërisë, vendosi ta lejojë qasjen për vizitorë nga maji deri në muajin tetor. Vëmendja në këtë ishull u rikthye para pak javësh kur dhëndri i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, Jared Kushner, shprehu interesim për ndërtimin e një kompleksi turistik.

Nga maji deri në tetor, për të shkuar në Sazan është i nevojshëm udhëtimi me anije. Udhëtimi zgjat nga 20 deri në 45 minuta. Kohëzgjatja e udhëtimit varet shumë edhe nga moti. Distanca më e afërt e Vlorës me Sazanin është rreth 8 kilometra. Kur të nisë udhëtimi, sa më shumë që anija i afrohet ishullit, aq më shumë vërehen objektet e vjetra që dekada më parë shfrytëzoheshin nga ushtarakët. Aty ishte krijuar një miniqytet, ku oficerët jetonin me familjet e tyre. Kishte edhe shkollë për fëmijët. Niko Leraj, një ish-ushtarak nga Vlora, jetoi 9 vjet në Sazan në vitet ‘80. Ushtrimet dhe përgatitjet ushtarake, thotë ai, ishin rutina e ushtarakëve në ishull.

“Përditshmëria do të thoshte stërvitje, përgatitje dhe vetëm përgatitje dhe gatishmëri për mbrojtjen e atdheut, ashtu siç ishte teoria”, tha Leraj për Radion Evropa e Lirë. “Sazani, duke qenë i izoluar nga toka, nuk kishte dritë elektrike të pandërprerë, nuk kishte ujë të rrjedhshëm, as 24 orë e as me orë të ndërprera. Sazani, ujin e kishte me cisternë që vinte nga Vlora”, tha Leraj për Radion Evropa e Lirë. Në ishull ende nuk ka ujë të pijshëm e as energji elektrike. Ishulli i Sazanit ka sipërfaqe rreth 6 kilometra katrorë dhe vijë bregdetare me gjatësi rreth 15 kilometra katrorë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments