Franca së shpejti do të vërë në punë një central të ri bërthamor për herë të parë në më shumë se dy dekada. Kompania shtetërore e energjisë EDF njoftoi dje në mbrëmje se autoriteti mbikëqyrës bërthamor ka miratuar hapat përfundimtare përgatitore për vënien në punë te reaktorit të ri bërthamor në Flamanville në Kanalin e La Manshit. Ndërtimi i reaktorit të diskutueshëm filloi në vitin 2007 dhe u përfundua me një buxhet më të madh se sa ishte planifikuar fillimisht (3,3 miliardë euro), që arrin vlerën mbi 12 miliardë euro.
Vënia në punë e centralit do të bëhet 12 vjet më vonë nga sa ishte planifikuar fillimisht. Ndryshe nga fqinji i saj Gjermania, Franca vazhdon të mbështetet në zgjerimin e energjisë bërthamore për furnizimin e saj me energji dhe arritjen e objektivave të mbrojtjes së klimës. Franca është ende prodhuesi i dytë më i madh i energjisë bërthamore në botë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në të njëjtën kohë, Franca gjithashtu dëshiron të zgjerojë energjinë e rinovueshme, veçanërisht energjinë e erës në det të hapur.