Pekini ka vendosur të anulojë tarifat për verën australiane. “Që nga e premtja, nuk do të vendosen tarifa për verën nga Australia”, njoftoi sot Ministria Kineze e Tregtisë. Njoftimi erdhi pas një vizite të ministrit të Jashtëm kinez, Wang Yi në Australi javën e kaluar, gjatë së cilës thuhet se u diskutua edhe çështja e tarifave. Republika Popullore vendosi tarifat për produktin e rëndësishëm bujqësor australian në vitin 2021, pasi qeveria në Kanbera bëri thirrje për një hetim mbi origjinën e koronavirusit në Kinë dhe ndaloi kompaninë kineze të teknologjisë “Huawei” të ndërtonin një rrjet 5G në Australi.
Kina vendosi gjithashtu masa kundër produkteve të tjera australiane si karavidhe. Më parë, verërat nga Australia i nënshtroheshin një tarife shtesë prej më shumë se 200% në disa raste. Si rezultat, industria humbi shumë para dhe Pekini ushtroi presion me rregulloren doganore. Marrëdhëniet mes Kanberës dhe Pekinit kanë qenë shumë të tensionuara për një kohë të gjatë. Shumë çështje të diskutueshme përforcuan pikëpamjen e udhëheqjes së Kinës se Australia po ndihmonte Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ngadalësonin ngritjen e Republikës Popullore.