Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u tha sot liderëve botërorë se energjia bërthamore mund të ndihmojë në reduktimin e emetimeve të karbonit, në samitin e parë të Energjisë Bërthamore në Bruksel. “Në vendet që janë të hapura ndaj teknologjisë, teknologjia bërthamore mund të luajë një rol të rëndësishëm në tranzicionin e energjisë së pastër”, u tha Von der Leyen udhëheqësve të mbledhur në Bruksel. “Pas krizës globale energjetike të shkaktuar nga pushtimi rus në Ukrainë, shumë vende po i japin një vështrim të ri rolit të mundshëm që mund të luajë energjia bërthamore”, tha ajo në samitin e parë të Energjisë Bërthamore të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA). Në samit morën pjesë liderë nga mbi 30 vende.
Qëllimi i samitit është të theksohet roli i energjisë bërthamore në reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile. Energjia bërthamore ndan shtetet anëtare të BE-së. Ndërsa Franca dhe Hungaria po planifikojnë ndërtimin e impianteve të reja bërthamore, vende të tjera po e heqin plotësisht energjinë bërthamore. Gjermania mbylli tre centralet e fundit bërthamore më 15 prill të vitit të kaluar. Belgjika është gjithashtu në mes të një braktisjeje bërthamore. “Pikëpamjet janë të ndryshme në të gjithë Bashkimin Evropian për energjinë bërthamore”, tha Von der Leyen. Von der Leyen theksoi se në mbarë botën, energjia bërthamore është burimi i dytë më i madh i energjisë elektrike me emetim të ulët pas hidrocentralit