Në qytetin e Beratit nisi sot një aksion për pastrimin e lumit Osum nga mbetjet urbane. Aksioni u organizua nga bashkia e Beratit dhe kompania SHELL Albania. Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo tha se “kujdesi ndaj Osumit është më shumë se një nevojë bazike për të ruajtur biodiversitetin. Ky lumë ka edhe vlera turistike e historike”. “Punët e mira nuk bëhen vetëm. Bëhen me partnerë, si në këtë e në shumë raste me SHELL Albania, por edhe me çdo qytetar”, tha Demo.
Kryebashkiaku Demo u shpreh se “Osumi është i qytetit dhe i kujtdo që ka kujtime fëmijërie në këtë lumë apo thjesht e shijon sot teksa shëtit në pedonalen e re të Goricës, ose kalon në rrugën kryesore”. Në prag të sezonit turistik bashkitë në të gjithë vendin vijojnë aksionet për pastrimin e territorit. Berati tërheq mijëra turistë, ku rrugicat dhe rrugët e tij gjallërojnë nga turistët që eksplorojnë dhe shijojnë qytetin e një mbi një dritareve në çdo stinë të vitit.