Në qytetin e Vlorës u prezantua sot plani strategjik “Vlora 2030”, i realizuar nga Agjencia Strategjike Rajonit të Puglia-s (ASSET) nën koordinimin e Rajonit të Puglia-s. Në prezantimin e këtij plani ishin të pranishëm Kryetari i bashkisë Vlorë Ermal Dredha, Këshilltari i Rajonit Puglias për zhvillimin ekonomik Alessandro Delli Noci, Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë Iva Palmieri, Kryetari i Këshillit të qarkut Vlorë, Ervis Moçka, etj. Kryetari i këshillit të qarkut, Moçka e cilësoi këtë plan një një hap të rëndësishëm drejt një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm për qarkun e Vlorës.
“Dokumenti “Vlora 2030″ ofron një vështrim të qartë për mundësitë dhe potencialet e sektorëve të turizmit dhe bujqësisë, duke hapur rrugën për zhvillim në të gjitha nivelet”, tha Moçka. Ndërsa kryebashkiaku Dredha u shpreh se “shohim me besim në mundësitë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit me Rajonin e Puglias. Veç miqësisë tradicionale, na bashkojnë interesa të njëjta edhe në biznes, veçanërisht në turizëm”. Vlora është një ndër qytetet turistike dhe më të vizitueshme në Shqipëri, sidomos gjatë verës. Qyteti bregdetar është edhe më i preferuari sidomos i turistëve italianë, të cilët vitet e fundit kanë qenë të shumtë.