Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu këmbënguli se Izraeli do të nisë sulmin tokësor në Rafah, pavarësisht presionit nga SHBA për të mos kryer një operacion të madh në qytetin e Gazës, ku janë strehuar qindra mijëra banorë, sipas “Financial Times”. Në një fjalim para komitetit parlamentar, kryeministri i Izraelit pranoi kundërshtimin e presidentit amerikan Joe Biden për një operacion tokësor në Rafah, ndërsa theksoi se nuk kishte asnjë mënyrë tjetër që Izraeli të arrinte qëllimin e tij për të shkatërruar Hamasin.
“Ia bëra të qartë presidentit amerikan Joe Biden, se ne jemi të vendosur për t’i shkuar deri në fund eliminimit të batalioneve të Hamasit në Rafah dhe nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta bërë këtë pa një inkursion tokësor”, tha kryeministri izraelit në një seancë të komitetit të punëve të jashtme dhe mbrojtjes të Knesset-it.
Netanyahu ka rënë dakord të dërgojë zyrtarë të lartë në Uashington këtë javë për të dëgjuar sugjerimet e administratës së Biden për të arritur qëllimet e tij në Rafah pa një pushtim tokësor. Deklarata e Netanyahu vjen mes shenjave të tensioneve në rritje midis Shtëpisë së Bardhë dhe Izraelit për rrjedhën e luftës, pasi një ditë më parë këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan tha se një operacion i madh tokësor në Rafah do të ishte një “gabim”.