Friday, November 22, 2024
HomeSOCIALEKOSOVAOsmani: Pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për dinarin

Osmani: Pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për dinarin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha sot se çështja e dinarit serb në Kosovë duhet të zgjidhet me urgjencë dhe se tashmë ekziston pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për këtë çështje, njofton Radio Evropa e Lirë. Deklarata e presidentes Osmani erdhi në një konferencë për media, pas një vizite që zhvilloi në qytetin e Lipjanit. Sipas saj, ideale do të ishte nëse do të arrihej një marrëveshje për të në Bruksel, më 19 mars, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve. Ajo tha se është shumë pozitive “që komuniteti ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara pajtohen që mos të ketë qarkullim të dinarit në Kosovë”.

“Me ndihmën e tyre kemi arritur që tash e tutje ato dërgesa, ajo ndihmë financiare që vjen nga Serbia, të arrijë në euro dhe jo në dinarë, dhe kjo besoj që e zgjidh një pjesë të madhe të problemit me të cilin jemi ballafaquar në të kaluarën”, tha Osmani në konferencën për media. Sa i përket pjesës së dytë të propozimit, ajo tha se janë duke shqyrtuar mënyra për të garantuar që ndihma që niset prej Serbisë për komunitetin serb në Kosovë të mos keqpërdoret. “Të mos shkojë në duart e personave që kanë abuzuar, që janë korruptuar dhe i kanë marrë paratë kinse në emër të qytetarëve, por i kanë shfrytëzuar për krim të organizuar.

Për atë pjesë është duke u hartuar një plan që do t’i përfshijë autoritetet e Kosovës”. Osmani u shpreh se ka shpresa që shumë shpejt do të arrihet pajtueshmëri edhe për pikën e dytë. “Është urgjente që kjo çështje të zgjidhet, sepse jo vetëm që u ndihmon qytetarëve që t’i tejkalojnë disa prej sfidave me të cilat ballafaqohen, por në të njëjtën kohë, të jemi shumë të sinqertë, Kosova ka probleme më të mëdha, ndër të tjera probleme të sigurisë”, duke përmendur në veçanti nevojën e sigurimit të kufirit me Serbinë, e cila, sipas saj, analizon vazhdimisht mënyra për ta sulmuar Kosovën.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments