Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, thotë për Radion Evropa e Lirë se kushtet për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të lidhen vetëm me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me standardet e Këshillit të Evropës, “e jo me gjëra të tjera, si dialogu me Serbinë”. Knaus – organizata e të cilit ka publikuar së voni një dokument për rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës – thotë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk mund të jetë kusht, sepse “nuk varet vetëm nga Kosova, varet edhe nga Serbia”. I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar,në një intervistë dhënë REL-it më 15 mars, sugjeroi se Asociacioni dhe çështja e disa shpronësimeve në veri të Kosovës mund të nxirren si kushte shtesë nga disa shtete evropiane.
“Janë tri faza që Kosova duhet t’i kalojë. E para është rekomandimi i Komitetit për Çështje Politike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Mbledhja do të mbahet në fund të marsit. Për këtë, e dimë se janë përmbushur kushtet, sepse do të diskutohet raporti i raportueses [për Kosovën], Dora Bakoyannis. Edhe pse do të jetë një seancë e jashtëzakonshme, ajo do të zhvillohet në javën e festës [së Pashkëve] dhe sfidë do të jetë ardhja e njerëzve. Por, jam i bindur se – nëse ka mjaftueshëm njerëz – votimi do të jetë pozitiv”, u shpreh ai. “Kjo, pastaj, do të kalojë në Asamblenë Parlamentare, në prill. Edhe atje, nëse Komiteti rekomandon se Kosova duhet të jetë anëtare – gjë që mendoj se do të ndodhë – atëherë edhe Asambleja Parlamentare do të rekomandojë që Kosova të jetë anëtare”, tha ai.
“Kushtet nuk do të vendosen nga një vend që nuk është anëtar i Këshillit të Evropës. SHBA-ja nuk është anëtare e Këshillit të Evropës dhe nuk mund të jetë anëtare e Këshillit të Evropës, sepse ka dënimin me vdekje – nuk i plotëson kushtet”, vijoi ai. “Këshilli i Evropës është një institucion i pavarur, i ka tashmë 46 anëtarë, i ka standardet e qarta dhe parlamentarët nuk do të ndikohen nga kushtet që nuk janë të lidhura me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Parlamentarët e kanë bërë shumë të qartë qëndrimin e tyre”, shtoi Knaus.