Friday, November 22, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTSPORTFSHF, Duka: Futbolli, një fenomen global

FSHF, Duka: Futbolli, një fenomen global

Çështjet e të drejtës së sportit ishin në fokusin e diskutimeve mes ekspertëve të fushës në workshop-in e zhvilluar këtë të enjte nga Federata Shqiptare e Futbollit me temë “Workshop i të Drejtës Sportive 2024”. Një aktivitet mjaft i rëndësishëm, i kthyer tashmë në traditë nga FSHF dhe në një platformë mjaft të mirë jo vetëm komunikimi e diskutimi, por edhe shkëmbimi eksperiencash.

Në këtë workshop morën pjesë figura të njohura të së drejtës sportive jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Europa, si: Thomas Leblatier, Këshilltar Ligjor pranë departamentit të Clearing House të FIFA-s, Jacques Blondin, Avokat dhe drejtor i departamentit “Regulatory Enforcement” në FIFA, Salvatore Civale, drejtor i Qendrës së Legjislacionit dhe Politikave Sportive, Andrea Marchetti, avokat i specializuar në fushën e të drejtës sportive si dhe Aldi Topçiu, drejtor i departamentit Ligjor dhe Licencimit në FSHF.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka përshëndeti me një fjalë rasti pjesëmarrësit, teksa i inkurajoi të gjithë që të përfshihen dhe të përfitojnë sa më shumë nga ky workshop, për të thelluar sa më shumë njohuritë në këtë fushë. Ndër të tjera, Presidenti Duka përshëndeti edhe praninë e ekspertëve ligjorë të FIFA-s dhe ata europianë në këtë workshop.

“Është nder dhe kënaqësi t’ju mirëpres në seminarin e së drejtës sportive 2024 këtu në “Shtëpinë e Futbollit”. Ky organizim është tashmë në edicionin e tij të tretë radhazi dhe duket se është kthyer në një takim fiks në kalendarin e komunitetit tonë të juristë të sportit, që bën bashkë specialistë të fushës nga FIFA, juristë të shquar sportiv nga e gjithë Evropa me anëtarët e organeve tona juridike dhe përfaqësuesit e klubeve tona anëtare.

Si President i Federatës Shqiptare të Futbollit, vij para jush me shumë krenari, duke njohur rëndësinë e forcimit të një themeli të fortë ligjor në fushën e futbollit. Sporti ynë i bukur ka evoluar në një fenomen global, duke mahnitur zemrat e miliona njerëzve dhe me një ndjekje kaq të madhe vjen edhe nevoja për korniza të forta ligjore që sigurojnë drejtësi, integritet dhe mirëqenie të të gjithë atyre që janë të përfshirë.

Prania e ekspertëve ligjorë të nderuar nga FIFA dhe Europa në këtë seminar pasqyron angazhimin tonë për të respektuar standardet më të larta dhe për të sjellë pranë anëtarëve tanë zhvillimet e fundit të drejtësisë sportive. Kjo është gjithashtu një dëshmi e frymës së bashkëpunimit që na bashkon në kërkimin e përsosmërisë dhe avancimit të futbollit si një forcë për ndryshime pozitive.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments