Viti 2025 do të jetë viti i matematikës në Kosovë, vit në cilin do të zhvillohet Olimpiada Matematike Evropiane për Vajza – EGMO 2025. Lajmi bëhet me dije nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në rrjetet sociale. Kjo do të jetë logoja zyrtare e Olimpiadës Matematike Evropiane për Vajza – EGMO 2025, e cila do të organizohet në Kosovë prej datës 11 prill 2025 deri më datën 17 prill 2025. EGMO është gara më prestigjioze ndërkombëtare e matematikës për vajza që ka për qëllim t’i inkurajojë vajzat që të merren me matematikën dhe zbatimin e saj.
Gara zhvillohet çdo vit në një vend të ndryshëm të Evropës me pjesëmarrje të rreth 60 shteteve, duke i përfshirë edhe shtetet joevropiane që marrin pjesë si mysafirë. Me këtë rast Kurti falënderon komunitetin e matematikanëve shqiptarë, Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës dhe të gjitha organizatat e tjera për angazhimin e tyre të pandërprerë në promovimin dhe avancimin e matematikës në Kosovë.