Saturday, November 23, 2024
HomeSOCIALEKOSOVAEscobar viziton Kosovën këtë javë për të diskutuar për dialogun dhe dinarin

Escobar viziton Kosovën këtë javë për të diskutuar për dialogun dhe dinarin

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do ta vizitojë Prishtinën këtë javë për të biseduar me liderët e Qeverisë së Kosovës për dialogun mes saj dhe Serbisë, si dhe për dinarin e ndalur serb në Kosovë, njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit të dielën.

Escobar do ta vizitojë Belgjikën, Kosovën, Austrinë dhe Malin e Zi nga 10 deri më 18 mars 2024, sipas njoftimit. Ai pritet të jetë në Prishtinë nga e mërkura.

“Vizita e tij do ta ritheksojë përkushtimin e shteteve të Bashkuara për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat e synojnë integrimin Euroatlantik dhe një bashkëpunim më të thellë rajonal”, tha Departamenti i Shtetit.

Escobari e viziton Kosovën në një kohë kur marrëdhëniet e zyrtarëve amerikanë me Qeverinë e Kosovës duken të tensionuara për shkak të çështjes së dinarit serb, të cilin Banka Qendrore e Kosovës e ndaloi përmes një rregulloreje muajin e kaluar.

Muajin e kaluar, Escobari tha se Qeveria e Kosovës nuk po e trajton SHBA-në si partnere, për shkak të mosdëgjimit të kërkesës amerikane për çështjen e dinarit serb.

“Ne jemi shumë të shqetësuar sepse Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner, ata nuk punojnë me ne për stabilitetin rajonal dhe minojnë dialogun, proces për të cilin SHBA-ja është e përkushtuar plotësisht”, kishte thënë Escobar më 23 shkurt.

SHBA-ja ka kërkuar shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi, duke argumentuar se ai është miratuar pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative te komuniteti serb në Kosovë, që përdor valutën kombëtare të Serbisë.

Departamenti i Shtetit tha se i dërguari amerikan do të takohet edhe me shoqërinë civile dhe komunitetin serb në Kosovë, përveç zyrtarëve qeveritarë.

“Ai do të mbajë takime edhe në lidhje me ndikimin e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për pagesat me para të gatshme dhe për të bërë thirrje për ndërmarrjen e hapave për plotësimin e nevojave të qytetarëve të Kosovës pa pengesa”, thuhet në njoftim.

Rregullorja e BQK-së, që parasheh vetëm euron valutë me të cilën mund të kryhen pagesat me para të gatshme, filloi të zbatohet nga 1 shkurti.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Rregullorja është kritikuar nga Bashkimi Evropian.

Më 4 mars, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, i bënë thirrje Kosovës t’i përmbushë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, nëse dëshiron të anëtarësohet në BE dhe në NATO.

“Bashkësia ndërkombëtare do që Kosova të përparojë në rrugën evropiane, kemi krijuar kushtet për ta arritur këtë, dhe mënyra e vetme është përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja… Shpresojmë të shohim përpjekje për të ecur para”, tha Hovenier.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve më 27 shkurt të vitit 2023.

Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

BE-ja ka thënë se marrëveshja, e cila edhe pse nuk është nënshkruar është detyrim për palët, ende nuk ka nisur të zbatohet.

Ndërkohë, në Belgjikë, Escobar do të takohet me të dërguarin e Bashkimit Evropian Mirosllav Lajçak dhe me zyrtarë evropianë dhe të NATO-s për të biseduar “për përpjekjet për t’i çuar përpara reformat të cilat do të sjellë prosperitet, stabilitet dhe paqe afatgjate në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments