Zef Kolombi, gjeniu i penelave dhe ngjyrave

0
3

Kolombi lindi në vitin 1907 në Sarajevë, ku edhe do të kalonte foshnjërinë e tij. Në vitin 1929, nisi studimet në Akademinë e Arteve të Romës. Krahas përmbushjes së detyruar të punimeve akademike, ushtroi mjeshtrinë me realizimin e veprave origjinale, si edhe përmes riprodhimit të veprave të klasikëve. Veprat “Nudo” (1931), “Pamje nga Roma” (1931), “Grua nudo e shtrirë” (1931) , “Grua nudo e ulur” (1931), i përkojnë periudhës së krijimtarisë së tij të shpërfaqur në auditor, teksa përsoste njohuritë rreth gjinisë artistike të pikturës. Fill pas ardhjes rishtas në Shqipëri, Kolombi realizon tablonë “Portreti i Pinës”, në pritje të emërimit si mësues i vizatimit në Shkollën Normale të Elbasanit.

Trashëgimia e tij artistike përbëhet nga rreth 50 vizatime dhe piktura, mes të cilave kanë epërsi natyrat e qeta, peisazhet dhe portretet, siç vërehet në tablotë “Portret plake” (1937), “Të korrurat” (1940), “Tri rriska shalqinj” (1940), “Tufë me trëndafila” (1940) etj. Në pikturën e Kolombit, mbizotërojnë punimet në vaj, si edhe ngjyra e kuqe, kafe, e gjelbër dhe e bardhë. Në sajë të veprimtarisë së tij kulturore të ngjeshur, Kolombi është vlerësuar me çmimet “Mësues i Merituar”, “Piktor i Merituar” dhe “Piktor i Popullit”.