Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEKOSOVABashkimi i tregjeve energjetike Kosovë-Shqipëri

Bashkimi i tregjeve energjetike Kosovë-Shqipëri

Kosova dhe Shqipëria së bashku do të jenë pjesë e një blloku të rëndësishëm energjetik dhe rajonal me rëndësi ekonomike, politike dhe gjeopolitike. Kështu u tha në ceremoninë zyrtare të organizuar nga Operatori i Sistemit Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) në emër të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike- ALPEX, me rastin e funksionalizimit të Tregut një Ditë Para për Zonën Ofertuese të Kosovës dhe Bashkimi i Tregjeve të Energjisë Elektrike Kosovë-Shqipëri.

Kryeministri Albin Kurti, tha se ky është moment historik për sektorin e energjisë për të dy vendet, pasi sipas tij, kjo do të ketë rol në zhvillimin ekonomik si dhe në transparencën ne sektorin e energjisë. Ai tha se thellimi i bashkëpunimeve ndërkufitare është një nga metodat më të mira për t’u përballur me sfidat dhe vështirësitë në këtë sektor. Kurti gjithashtu tha se tregu i përbashkët krijon mundësi të reja biznesi dhe se bashkimi i tregjeve të energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri është hap strategjik për një ekosistem energjetik më efikas.

Duke folur për rëndësinë e kësaj ngjarje, kreu i Qeverisë tha se nëpërmjet këtij bashkëpunimi do të krijohet një mjedis më i favorshëm për tërheqjen e investimeve të huaja. Ai gjithashtu foli edhe për krizën e fundit energjetike për të cilën tha se ajo nuk ka shkuar dëm, pasi sipas tij, mësimin dhe përvojën e fituar po e kthejnë në bashkëpunim dhe mundësi të reja. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli thotë se kjo është, ka qenë dhe mbetet një aspiratë e përhershme historike e Kosovës që politik bërjen në sektorin e energjisë ta bëjë në një mënyrë të tillë që e sheh dhe vlerëson këtë komplementaritet dhe e zhvillon edhe më tej.

Ky bashkim është i rëndësishëm e shpreh edhe kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Evetar Zeqiri duke shtuar se kjo nuk do të arrihej pa vizionin largpamës të të dy qeverive, mbështetjen e pafund të ministrive respektive të dy shteteve. Ai tha se kjo marrëveshje është epilog i një procesi të reformave të mbi dy dekadave në sektorin e energjisë. Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin edhe drejtoresha e misionit të USAID në Kosovë Eileen Devitt, dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments