Baza taktike ajrore e NATO-s në Kuçovë u inaugurua sot në 15 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kjo bazë ofron infrastrukturë të avancuar për mjetet ajrore të Aleancës, akomodim për trupat pjesëmarrëse si dhe do të shërbejë për stërvitjet e vendeve anëtarë të NATO-s, patrullime të hapësirës ajrore. Në ceremoninë e mbajtur sot, merrnin pjesë krerë të lartë të shtetit, zyrtarë të lartë të NATO-s, diplomatë etj. Gjatë aktivitetit, u theksua se kjo bazë do të ndihmojë në rritjen e sigurisë dhe garantimit të paqes në rajonin e Ballkanit Perëndimore dhe më gjerë.
Në përfundim të fjalimeve, avionët e NATO-së dhe dronët “Bajraktar” dhuruan spektakël në bazën ajrore të Kuçovës. Avionët ushtarakë EuroFighter F-2000 nga Italia, avionët amerikanë F-16, dronët “Bajraktar” si dhe helikopterët “Black Hawk” u ngritën për disa minuta në ajër dhe ndaluan për herë të parë në Kuçovë për të testuar edhe pistën e kësaj baze. Ceremonia u mbyll me manovrat e dy helikopterëve “Black Hawk” të Flotës Ajrore shqiptare.