Vrionët kanë qenë një nga familjet më të mëdha aristokrate shqiptare, të njohura ndryshe si konaqe apo oxhaqe. Banesa e tyre, publikuar së fundmi online prej DRTK Berat, ka qenë pjesë e kompleksit ndërtimor të banimit të familjes Vrioni. Ndërtimi nuk është kryer në një truall të virgjër, por ai është realizuar duke shfrytëzuar rrënojat dhe gjurmët e një ndërtimi më të vjetër. Banesa mund të jetë ndërtuar në fund të shek. XIX. Zhvillimi planimetrik i saj është i parregullt në të dyja katet.
Kati i banuar është formuar nga një korridor anash të cilit janë ndërtuar përkatësisht dy dhe tri ambiente. Karakteristikë e sarajeve të Vrionëve është dalja në formë erkeri, me shkallëzime në formë dhëmbë sharre në planimetri, te të trija ambientet nga lindja, duke krijuar kështu një pamje të veçantë estetiko-arkitekturore. Në sarajet e familjes historike të Vrionëve, lindën e u rritën figura të rëndësishme patriotike. Kjo banesë është me vlerë të madhe si dëshmi e të kaluarës së një prej qyteteve më mbresëlënës të Shqipërisë e njëkohësisht një prej pasurive botërore, mbrojtur nga UNESCO.