Ekonomia shqiptare ka qenë më elastike se ato të vendeve të rajonit gjatë vitit të kaluar. Pavarësisht sfidave siç janë rritja e normave të interesit apo inflacioni i lartë ecuria ka qenë pozitive. Shqipëria renditet e dyta në rajon për ecurinë ekonomike. Sipas një analize të Bankës së Shqipërisë në tremujorin e tretë ekonomia shqiptarë pati një rritje me 3.5% ndërsa Serbia me 3.6% me një ndryshim minimal. Ekonomia shqiptare ka lënë pas vende si Kosova, Maqedonia e Veriut e Greqia.
Sipas Bankës Qendrore gjatë vitit 2023, ekonomia shqiptare ka shfaqur një rritje të vazhdueshme të aktivitetit ekonomik, të punësimit dhe të pagave dhe një trend rënës të inflacionit i cili është theksuar në janar të këtij viti duke u ulur ne 3.4%. Rritja ekonomike u nxit nga zgjerimi i konsumit, i investimeve dhe i të ardhurave nga turizmi. Në aspektin makroekonomik, ajo u mbështet nga përmirësimi i besimit të biznesit e të konsumatorit, si dhe nga rritja e interesit të të huajve për shërbimet e turizmit shqiptar. E njëjta tendencë parashikohet që të vijojë për ekonominë shqiptare edhe gjatë këtij viti.
Sektori i Turizmit pritet të mbetet një shtyllë e rëndësishme për ekonominë shqiptare, ndërkohë që parashikimet janë për një sezon turistik më të mbarë gjatë këtij viti Pavarësisht përshpejtimit të ritmit rritës, aktiviteti ekonomik për vitin 2023 në vendet fqinje pritet të reflektojë ngadalësimin e ekonomisë së Eurozonës dhe normat rritëse pritet të jenë më të ulëta në kontekst historik.