Berati ruan vlera të papërsëritshme në fushën e ndërtimeve popullore, krijimtari që formulon tërësinë e qytetit-muze. Drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore Berat solli disa të dhëna në lidhje me lagjen e famshme Mangalem të qytetit të mbrojtur nga UNESCO. Kompleksi i lagjes “Mangalem” është gur i çmuar në artin e ndërtimeve, në të cilën kompozimi harmonik i shtëpive ka arritur një nivel të lartë. Lagjja ka formën e një piramide elegante që imiton siluetën e kodrës, në majën e së cilës është ngritur kështjella.
Sipas DRTK Berat, Mangalemi, kaq i madh në volum aq sa delikat në kompozimin e tij, karakterizohet nga një transparencë intensive për shkak të numrit të madh të dritareve, nga e cila merr emrin “qyteti i një mbi një dritareve”. Rrugicat e këtyre lagjeve karakteristike të Beratit, janë të shtruara me kalldrëm, ku mjeshtërit beratas punimin e gurit ua kanë lënë trashëgim brezave më të rinj.