Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEARSIMMiratohet përfshirja e Ditës së Alfabetit në ditët e festave zyrtare

Miratohet përfshirja e Ditës së Alfabetit në ditët e festave zyrtare

Komisioni shqyrtoi Projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr.7651, datë 21.12.1992 “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore”, të ndryshuar”. E ftuar për të prezantuar këtë projektligj ishte Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Artemis Malo, e cila u shpreh se, kjo nismë ligjore ka të bejë me përfshirjen e datës 22 Nëntor, Dita e Alfabetit, në listën e festave zyrtare të Republikës së Shqipërisë. “Kjo datë është përkujtimore, jo vetëm për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe për Diasporën Shqiptare. Ishte pikërisht dita kur u mblodh Diaspora Shqiptare në samitin e saj të tretë nëntorin e vitit të kaluar ku u lançua edhe angazhimi i qeverisë shqiptare për ta përfshirë këtë ditë në listën e festave zyrtare të Republikës së Shqipërisë.

Kjo është një nga datat më të mëdha të historisë tonë. Projektligji ka si synim shtimin e një pike në ligjin nr.7651, datë 21.12.1992 “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore”, të ndryshuar” dhe konkretisht shtimin e datës 22 Nëntor si festë zyrtare. Ky projektligj nuk parashikon asnjë efekt financiar në buxhetin e shtetit”, u shpreh Malo. Relatorja e çështjes, Etilda Gjonaj u shpreh se, kemi të bëjmë me një ndryshim që ka një rëndësi të madhe. “Do të kemi një ditë tjetër që të përqafohet nga të gjithë trevat shqiptare, siç e ka Maqedonia e Veriut, tashmë edhe ne me alfabetin”, u shpreh Gjonaj, e cila ftoi kolegët të votojnë pro këtij projektligji. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments