Dihet prej kohësh se pirja e hashashit shkakton uri të madhe. Por si e stimulon kanabisi oreksin dhe pse ia vlen ta dish një gjë të tillë, është zbuluar kohët e fundit në një studim bërë në SHBA. Shkencëtarët e Universitetit shtetëror në Uashington kanë vendosur dy lloje të ndryshme minjsh, minj të vegjël shtëpie dhe minj të mëdhenj fushe, në ambient të mbushur me tym kanabisi për të simuluar rajone të caktuara të trurit që kanë lidhje me oreksin. Ata kanë vëzhguar sjelljen e minjve në marrjen e ushqimit, si për shembull sa shpesh kanë ngrënë ata.
Donald Abrams, ekspert i pavarur i pyetur nga Deutsche Welle, i cili punon si onkologjist në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko tha se zbulimet e bëra janë me vlerë dhe u shtohen studimeve ekzistuese për përdorimin mjekësor të kanabisit. “Minjtë nuk janë njerëz,” tha Abrams. “Por si dikush që ka shkuar në universitet në vitet 60-të, siç jam unë, e di se kanabisi shkakton uri.” Dhe kjo mund të përdoret për të ndihmuar njerëzit që janë duke u trajtuar kundër sëmundjes së kancerit, trajtim që shkakton mungesë oreksi, në një kohë kur të sëmurët duhet të hanë për të ruajtur fuqitë. Sepse kanabisi aktivizon neurone të caktuara të oreksit.
Në studimin e tyre shkencëtarët kanë ekspozuar minj të llojeve të ndryshme, ndaj një sasie të pandryshuar tymi kanabisi, ngjashëm me sasinë e kanabisit që njerëzit pijnë mesatarisht. Së pari ata vëzhguan sjelljen e minjve në lidhje me marrjen e ushqimit dhe vërejtën se minjtë kërkonin gjithnjë e më shpesh ushqim, pasi ishin ekspozuar ndaj tymit të kanabisit. Pastaj ata panë aktivitetet neuronale të minjve dhe vërejtën se kanabisi aktivizon një grup të vogël të caktuar neuronesh në hypotalamusin mediobazik. Dihet se hypotalamusi kontrollon oreksin si dhe funksione të tjera, si temperaturen e trupit dhe humorin.
Por kur aktivizohen këto neurone specifike, krijohet një rrjedhje sinjalesh neurale që kanë lidhje me motivimin dhe lëvizjen. Tek njerëzit kjo bën që ata të çohen nga divani dhe të kërkojnë në sirtarët e kuzhinës për biskota dhe karamele. Por edhe tek minjtë e përdorur në këtë studim nuk ndodhi ndryshe, ata po ashtu shkuan të kërkonin ushqim. RTSH