Arabia Saudite paralajmëroi sot Izraelin kundër një ofensive në qytetin kufitar Rafah në Rripin e Gazës dhe u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara që të mbajnë një takim urgjent për ta parandaluar atë. Paralajmërimi i Riadit vjen një ditë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu i tha ushtrisë që të përgatitej për një ofensivë në Rafah, qyteti i fundit i madh që nuk u pushtua nga forcat izraelite.
Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite paralajmëroi për “pasoja shumë të rënda të sulmit dhe shënjestrimin e Rafahut”, duke e quajtur qytetin “strehën e fundit” për qindra mijëra civilë. Monarkia e pasur me naftë bëri thirrje që Këshilli i Sigurimit të OKB-së të mbajë një takim urgjent për të parandaluar Izraelin të shkaktojë atë që Riadi e përshkroi si një “katastrofë të afërt humanitare”.