Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) konstaton se në Shqipëri shpejtësia e lidhjeve të internetit fiks është rritur ndjeshëm në vitet e fundit.
Sipas AKEP, në vitin 2022, 51% e abonentit me linja fikse kishin një shpejtësi maksimale lidhjeje më të lartë se 30 Mbps (megabit për sekondë), ndërsa në vitin 2016, vetëm 1% e abonentëve kishin një lidhje me shpejtësi të tillë.
AKEP vlerëson se kjo prirje pritet të rritet në vitet e ardhshme pasi shpejtësitë e shkarkimit po bëhen gjithnjë e më shumë një levë konkurruese mbi të cilën mbështeten ofruesit e shërbimeve të internetit për të tërhequr abonentë. Aktualisht, disa ofrues të shërbimeve të internetit propozojnë lidhje interneti për familjet me shpejtësi shkarkimi deri në 2,5 Gbps.
Sipas standardeve të Komisionit Europian, lidhjet broadband mund të klasifikohen në tre kategori: “Broadband bazë”, për shpejtësi shkarkimi më pak se 30 Mbps; “Broadband i shpejtë” për shpejtësi shkarkimi ndërmjet 30 dhe më pak se 100 Mbps; “Broadband ultra i shpejtë” për shpejtësi shkarkimi prej 100 Mbps ose më shumë.
Sipas këtij klasifikimi, tashmë më shumë se gjysma e abonentëve në Shqipëri kanë internet të shpejtë në shtëpitë e tyre. Ndërkohë, 12% e abonentëve kanë shpejtësi lidhjeje ultra të shpejtë, me më shumë se 100 Mbps.
Rritja e shpejtësisë së lidhjeve është drejtpërdrejt e lidhur me zhvillimet teknologjike dhe investimet në rrjetet të reja të fibrës optike. Pjesa e lidhjeve të bazuara në fibra optike në vitin 2022, arriti në 61% të lidhjeve, nga vetëm 11% në 2016. Fibra optike përgjithësisht mundëson ofrimin e shërbimit me shpejtësi shumë më të larta krahasuar me teknologjinë e mëparshme, që bazohej kryesisht në lidhjet me tela bakri.
Pesha e abonentëve që kanë një lidhje DSL (me tela bakri) ka rënë në 19%, nga 63% që kishte qenë në vitin 2016.
Megjithatë, AKEP vëren se, pavarësisht tendencës së përgjithshme të të gjithë ofruesve të shërbimeve broadband fikse për t’i dhënë përparësi lidhjeve me fibra dhe për të migruar gradualisht shërbimet e ofruara nga rrjetet e tjera në fibra, dallimet teknologjike në portofolin e shërbimeve të ofruara aktualisht vazhdojnë nga secili operator.
One Albania dhe Vodafone Albania ende mbështeten shumë në rrjetet e tyre historike të bakrit dhe kabllove koaksiale, ndërsa operatorët e tjerë, që kanë ndërtuar së fundmi rrjetin e tyre, ofrojnë shërbimet e tyre kryesisht mbi fibra optike.
Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se numri i abonentëve në fund të muajit shtator 2023 arriti në pak më shumë se 611 mijë, në rritje me 1.2% krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe 7.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në vitet e fundit, tregu i internetit ka ndjekur një tendencë të qëndrueshme në rritje, edhe për shkak të një baze relativisht të ulët dhe prapambetjes në depërtimin e linjave fikse. RTSH