Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në takimin me temë “Inovacioni në Sistemin Financiar”, ku i pranishëm ishte Kryeministri Edi Rama, ministri i Financave, Ervin Mete, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, si edhe drejtues të Shoqatës së Bankave, sektorit bankar dhe institucioneve të parasë elektronike.
Sejko u ndal në rëndësinë e inovacionit për përfshirjen financiare. “Banka e Shqipërisë ka miratuar ligjin “Për Pagesat” në vitin 2020, dhe ka ndërtuar të gjithë kuadrin nënligjor me rregulloret e caktuara për shërbimet e pagesave, teksa ka dhënë edhe licencat përkatëse”, u shpreh Sejko. Guvernatori tha se, jemi në momentin praktik të këtij procesi, ndërsa ka mbetur pjesa e “open banking”.
“Ne kemi një Komitet të Pagesave në Shqipëri, që mblidhet katër herë në vit, ku inovacioni patjetër është çështja më e diskutuar dhe pjesa “open banking” patjetër që duhet bërë. Nga dy banka, deri në qershor duhet bërë edhe nga të gjitha bankat e nivelit të dytë, si një detyrim ligjor dhe bankat duhet të bëjnë patjetër investimet e duhura për këtë gjë”, tha Sejko.
Guvernatori solli në vëmendje se, vetë BSH-ja ka bërë investime në implentimin e sistemit të shlyerjes së pagesave në euro, sikurse e ka pasur me lekun, duke kursyer miliona euro për komisionet, për bizneset dhe konsumatorin shqiptar. Përveç kohës, që shkonte në një javë dhe sot është bërë në një ditë kryerja e transaksionit në këtë valutë”. “Me këtë sistem që kemi implementuar, kemi hequr dhe shumë cash nga qarkullimi se praktikisht qytetarët nuk i marrin paratë cash nga njëra degë në tjetrën, por i marrin përmes transfertës”, tha ai.
Sejko tha se, “me Komitetin e Pagesave, BSH po punon për implementimin e sistemit “state payment”. Banka e Italisë po na mbështet për modelin tip të këtij sistemi, që është sipas standardeve të BE-së. Dalja nga Lista Gri dhe reformat e qeverisë, i kanë hapur rrugë Shqipërisë të pranohet në sistemin SEPA dhe tashmë nuk kemi asnjë pengesë për implementimin e sistemit state payment, që është një sistemi i unifikuar për të gjithë dhe një hap shumë i madh për të gjitha llojet e shërbimeve të pagesave të modernizuara, si p.sh pagesa me celular, pagesa ndërbankare në rrjetin europian që janë me kosto edhe më të ulëta dhe lehtëson shumë aksesin në shërbime bankare”.