Saturday, November 23, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETAREBorrell:  Objektivi për të dorëzuar 1 milion predha në Ukrainë nuk u...

Borrell:  Objektivi për të dorëzuar 1 milion predha në Ukrainë nuk u arrit

Bashkimi Evropian nuk do të arrijë objektivin e tij për të dorëzuar 1 milion predha artilerie në Ukrainë brenda një viti, tha sot diplomati i lartë i BE-së, Josep Borrell. Duke mbrojtur përpjekjet e BE-së si një “punë në progres”, Borrell tha se dërgesat në Ukrainë do të përfshinin 524,000 predha. “Kjo është vetëm 52% e objektivit”, tha Borrell në një konferencë për shtyp pas një takimi jozyrtar të ministrave të Mbrojtjes të BE-së në Bruksel. “Objektivi i ri parashikon më shumë se 1 milion predhash deri në fund të vitit 2024, ndërsa 630,000 predha janë në prodhim e sipër”, sipas BE-së. Shtetet anëtare të BE-së u zotuan të furnizojnë Ukrainën me 1 milion predha 155 milimetrash në mbrojtjen e saj kundër Rusisë deri në mars të vitit 2024, ndërsa kanë vazhduar përpjekjet gjatë gjithë vitit të kaluar për të përmbushur afatin kohor të dorëzimit. Më 20 mars të vitit 2023, vendet anëtare të BE-së i premtuan Ukrainës se do të siguronin 1 milion predha të reja artilerie brenda 12 muajve. Ato do të organizoheshin nga stoqet e vendeve të BE-së, por edhe përmes projekteve të reja të përbashkëta të prokurimit me qëllim parandalimin e mungesave në forcat e armatosura të Ukrainës. Megjithatë, angazhimet e reja nga BE-ja për ndihmën ushtarake për Kievin kanë ngecur muajt e fundit, pasi blloku po përpiqet të rrisë kapacitetet e prodhimit të armëve. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha në nëntor gjatë një takimi të mëparshëm të ministrave të Mbrojtjes të BE-së se blloku do të humbiste objektivin. “Objektivi për të dorëzuar 1 milion predha artilerie në Ukrainë nuk do të arrihet”, tha ai. Deklarata e Borrell vjen pasi kancelari gjerman, Olaf Scholz u bëri thirrje shteteve të tjera të BE-së që të ofrojnë mbështetje më të madhe ushtarake për Ukrainën. “Mbështetja ushtarake për Ukrainën nuk mund të varet vetëm nga Gjermania”, tha Scholz përpara një samiti të BE-së për ndihmën për Ukrainën në luftën e saj të vazhdueshme kundër pushtimit të plotë rus. Scholz tha se Gjermania i ka dhënë Ukrainës më shumë ndihma se çdo vend tjetër pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përbën gjysmën e ndihmës totale për Ukrainën nga Evropa.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments