Mbi 1 000 muzikantë suedezë i kanë bërë thirrje Unionit të Transmetuesve Evropianë (EBU) që të përjashtojë Izraelin nga “Eurovision Song Contest” për shkak të luftës në Gaza. Në një letër të hapur të publikuar nga gazeta suedeze “Aftonbladet” të hënën, artistët nga vendi nikoqir i Eurovisionit, Suedia, deklaruan se presin që organizatori të jetë konsistent në qëndrimin e tyre ndaj vendeve që “shkelin vlerat demokratike dhe të drejtat e njeriut”. Duke përmendur faktin se Rusia nuk u lejua të garonte në vitin 2022 për shkak të luftës së saj në Ukrainë, më shumë se 1.000 artistë nënshkrues kanë theksuar se i njëjti parim duhet të zbatohet edhe për Izraelin. Në përgjigje të thirrjeve të mëparshme, EBU njoftoi se Izraeli nuk do të përjashtohej nga kompetecioni, duke arsyetuar se dëshiron të ruajë statusin e konkursit si “një ngjarje apolitike që bashkon audiencën në mbarë botën përmes muzikës”. Izraeli nisi ofensivë të pamëshirshme në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor, duke vrarë të paktën 26.637 palestinezë dhe duke plagosur 65.387 ndërsa rreth 1.200 izraelitë besohet se janë vrarë sipas shifrave zyrtare. Sipas OKB-së, ofensiva izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve ndërkohë që 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.