Sunday, November 24, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTURE Transporti liqenor në Shkodër në shekullin e 19

 Transporti liqenor në Shkodër në shekullin e 19

Në vazhdën e publikimeve në rubrikën e kujtesës, “Amarcord”, DRTK Shkodër sjell një foto të vitit 1898, titulluar “Sul në fshatin Shirokë” nga A.Degrand. Sulja ishte një mjet i vogël lundrimi. Deri në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, liqeni i Shkodrës ishte plot me mjete të vogla artizanale lundrimi. Me qindra e qindra sule, take dhe lundra, me atë siluetën e thjeshtë dhe elegante të tyre, shkëputeshin çdo ditë prej brigjeve të ndryshme rreth liqenit dhe merrnin drejt thellësive të tij. Disa ngarkuar me rrjeta pa zbardhur drita niseshin për peshkim; disa të tjera me prodhime të fshatrave përreth niseshin që në orët e para të mëngjesit për transport, të tjera, plot me udhëtarë, kalonin skelë më skelë të bregut. I tërë peshkimi, transporti e komunikacioni i fshatrave Shirokë, Zogaj, etj. i krahinave Krajë, Ljare, Shestan etj. bëhej mbi ujë. Në këto fshatra e krahina as nuk njihej peshkimi prej toke; as nuk kishin rrugë në mes të tyre për komunikacion e transport tokësor. Veçanërisht të martave në darkë dhe të mërkurave në mëngjes, që në Shkodër ishte ditë pazari, dilnin këto mjete lundrimi nga skelat e ndryshme rreth liqenit, nga 7-8 bashkë, në karvan mbas tjetrës e zbrisnin në Shkodër për tregti. Mjeti i lundrimit ishte i domosdoshëm për banorët e bregut të liqenit ashtu si kali, apo qerrja për fshatrat e tokës. Nuk kishte kuptim një shtëpi pa mjetin e saj të lundrimit. Këto mjete lundrimi shpesh i punonin vetë, por kishte raste edhe që i porosisnin ndër zejtarë në fshat apo në treg. Në bregun e Bunës pranë tregut të Shkodrës ishin në rresht punishtet e mjeteve të lundrimit që prodhonin në mënyrë artizanale këto mjete lundruese. Në mes të kësaj mori mjetesh lundrimi të Liqenit të Shkodrës ruhen disa vija të përbashkëta në forma dhe vetëm dimensionet e tyre ndryshojnë. Sipas madhësisë ndahen në tri kategori: sule, si mjeti më i vogël, take, me dimensione mesatare dhe lundër më e madhja. Sulja ka një gjatësi mesatare prej 5-7 metra e mundësi transporti deri në 15 kv, takeja me gjatësi deri në 10 metra e kapacitet deri në 45 kv, lundra, 15-20 metra e gjatë dhe fuqija bartëse deri në 100 kv.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments