Gjendja e korrupsionit në Kosovë nuk ka ndryshuar gjatë vitit 2023, duke shënuar 41 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit që publikoi të martën Transparency International dhe duke u radhitur në vendin e 83 mes 180 vendeve që analizohen në raportin e përvitshëm të kësaj organizate. Transparency International shpreh shqetësim për mungesën e përparimit, duke thënë se veprimet kundër korrupsionit ende nuk janë në lartësinë e përparimit demokratik që ka shënuar Kosova në drejtim të zgjedhjeve e lira dhe kalimit paqësor të pushtetit. “Megjithë përpjekjet e vazhdueshme, reformat që janë kyçe për pavarësinë e sistemit e drejtësisë, si për shembull ngritja e procesit të vetingut dhe miratimi i një ligji të ri që mund të forcojë integritetin në Këshillin e Prokurorisë, po ecin me një ritëm shumë të ngadaltë”, thuhet në raport. Por sipas raportit, ç’ka është më shqetësuese është mungesa e vullnetit politik për një pavarësi të sistemit gjyqësor. “Më keq akoma, ndërhyrja e vazhdueshme e qeverisë në çështjet gjyqësore, pasqyruar me rastin e shkarkimit të kreut të njësisë së posaçme të hetimeve të policisë, si edhe pengesa nga deputetët e shumicës e një hetimi parlamentar për një rast të dyshuar të korrupsionit madhor, lënë të kuptohet se ende nuk ekziston vullneti politik për të mos ushtruar kontroll dhe për të konsoliduar mbikëqyrjen e pavarur”, thuhet në raport. Që nga viti 2012 kur kishte 34 pikë në Indeks, Kosova ka pasur një përmirësim prej 7 pikësh.
TI e shqetësuar për mungesën e vullnetit politik në Kosovë për një gjyqësor të pavarur
RELATED ARTICLES