Shkurti nis me diell dhe temperatura të larta, mësoni si do të jetë moti këtë javë

0
19

Janari do të mbyllet me diell dhe me temperatura të ulëta, ndërsa Shkurti do të nisë më i ngrohtë dhe me kthjellime, të paktën deri më datë 10 të muajit të ardhshëm.

Ka qenë ky parashikimi i motit për javën nga sinoptikanja Lajda Porja nga “MeteoAlb” në një lidhje direkte për Klan News. Pritet që nga dita e enjte, temperaturat të rriten dhe të shkojnë deri në 17 gradë Celsius.

Lajda Porja: Dielli do të jetë prezent, intervale të gjata kthjellimesh, parashikohet që kjo javë të jetë nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme. Nuk ka sinjale që të kemi reshje në territor. Deri të mërkurën, pjesa e parë e kësaj jave, edhe pse do të jetë me mot të kthjellët dhe me diell, mëngjeset do të mbeten relativisht të ftohta. So regjistrohet temperatura më e ulët, -5 në Ersekë, -4 në qarkun e Dibrës, ndërkohë bregdeti dhe zona e ulëta luhaten nga 2 deri në 7 gradë. Maksimalet në zonat malore janë jo më shumë se 7 apo 8 gradë, ndërkohë parashikohet që në bregdet të shënohet dhe temperatura 14 gradë. Parashikohet që deri të mërkurën, luhatja e temperaturave të jetë jo shumë e ndjeshme. Mbetet mëngjesi i ftohtë, mesdita do të jetë me diell, vranësirat do të jenë kryesisht në pjesën e dytë të ditës dhe aspak problematike.

Situata termike do të ndryshojë në pjesën e dytë të javës, duke filluar nga e enjtja, e premtja, përfshirë fundjavën, do të kemi mjaftueshëm diell, por do të kemi edhe rritje të temperaturave në vlerat e mëngjesit, duke bërë që edhe zonat malore, vetëm disa zona të caktuara të jenë minus 1, ndërkohë që presim temperatura deri në 17 gradë. Mund të them se nis muaji Shkurt i ngrohtë, në temperatura relativisht të larta dhe pa reshje. Deri nga data 10 Shkurt, nuk ka sinjale që të ketë reshje. Moti do të jetë i kthjellët, dielli do të jetë prezent në të gjithë territorin.