Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit ndau sot pamje nga magjia e lumit të Shalës. “Ditë të mbarë me ngjyrat e bruzta dhe simfoninë e gurgullimave të dashura të lumit të Shalës, që rrjedh nëpër luginën e paprekur, një nga atraksionet më të dashura të veriut”, u shpreh Kumbaro. Grykëderdhja e lumit të Shalës në liqenin e Komanit është kthyer në një nga destinacionet më tërheqëse të Alpeve shqiptare. Turistë të shumtë që e kanë vizituar e kanë cilësuar edhe si Tajlanda shqiptare. Lumi i Shalës buron rrëzë Alpeve dhe ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Drin. Lumi i Shalës dallohet për ujin e tij të veçantë ngjyrë blu të thellë. Ai është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më e përhapura është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla. Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin.
Lumi i Shalës, ndër atraksionet më të dashura të veriut
RELATED ARTICLES