Peizazhi mbresëlënës i Luginës së Valbonës, pjesë e Parkut Kombëtar Alpet e Shqipërisë, sidomos nën petkun e bardhë të dëborës vijon të tërheqë turistët vendas e të huaj në këto ditë dimri. Kryetari i bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi tha sot për ATSH-në se “këto ditë dëbora në Valbonë ka arritur në 70 cm, duke ftuar edhe turistët edhe të pasionuarit pas alpinizmit ta vizitojnë atë”. “Edhe gjatë dimrit turistët nuk i ‘ndahen’ Luginës së Valbonës. Vetëm në dhjetor dhe 20 ditët e para të janarit Valbona është vizituar nga 205 turistë vendas e të huaj”, tha Byberi. Kryebashkiaku Byberi i bën apel turistëve sidomos atyre të huaj që të shoqërohen me guida turistike gjatë vizitës së tyre, nëse dëshirojnë të eksplorojnë Valbonën në mënyrë që shmangen incidentet”. Turizmi malor duket se është shndërruar në një nga tendencat më të pëlqyera të shqiptarëve. Dëbora ka mbuluar dy ditët e fundit edhe zonat e tjera malore si Thethin, Bogë, Voskopojën, Dardhën, etj. Lugina e Valbonës e konsideruar një mrekulli më vete me peizazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse është një ndër më të frekuentuarat nga turistët vendas e të huaj. Ajo është shpallur Park Kombëtar në janar të 1996 dhe ka një sipërfaqe prej 8000 hektarësh. E konsideruar si mrekullia e Alpeve ndodhet 25-30 km në veri – perëndim të qytetit Bajram Curri. Kufizohet me Parkun Kombëtar të Thethit dhe zonën natyrore të mbrojtur Lumi i Gashit. Territori i tij përshkohet nga rruga automobilistike Bajram Curri-Dragobi-Valbonë e Çerem. Ka maja të larta e të thepisura dhe për çdo stinë ndërron koloritin e ngjyrave, duke paraqitur një dinamikë të jashtëzakonshme imazhesh në kushtet e një lugine plot të papritura e me shumë labirinthe.