Nënkolonel Ervin Buzi, komandant i skuadronit të dytë operacional “Black Hawk” dhe pjesëtar i Forcave të Armatosura të Shqipërisë që prej vitit 2002, shpjegoi sot aftësitë e helikopterëve të rinj Black Hawk UH-60 të Shqipërisë. Në një video të publikuar nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë, Buzi shprehet se, dëshira e tij ka qenë për t’u bërë ushtarak dhe ka aplikuar në Akademinë e Forcave të Armatosura, ku u prezantua me degët që mund të zgjidhte dhe ai zgjodhi të jetë pilot. “E kam filluar karrierën duke fluturuar me helikopterët AB-206 në bazën ajrore Farkë dhe së fundmi me helikopterët “Black Hawk” që sapo na ka ardhur në forcat tona ajrore”, thotë ai. Buzi shprehet se “ky helikopter është shumë rolësh. Si objektiv kryesor ka përmbushjen e detyrave ushtarake, por edhe detyrat që ne kemi si detyrim për të shërbyer që janë kërkim-shpëtim ose “SAR”, “Combat SAR” që është kërkim-shpëtim në zona luftimi, si dhe për luftën kundra zjarreve nga ajri ose “Bambi bucket” që quhet në gjuhën ndërkombëtare”. Nënkolonel Buzi thekson se, ai dhe pjesëtarët e tjerë të skuadrës kanë kryer trajnime në Shtetet e Bashkuara, teksa ekspertë amerikanë do mbështesin skuadrën shqiptare për dy vite për të përmirësuar më tej kapacitetet e tyre, duke i përgatitur për të shërbyer në një teatër të gjerë operacionesh, qoftë në zona lufte apo misione paqësore mbështetëse. “Shtetet e Bashkuara janë krenare për partneritetin e fortë me Shqipërinë në fushën e mbrojtjes dhe presim me kënaqësi të shohim aftësitë e helikopterëve Black Hawk të Shqipërisë”, thekson ambasada e Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Tiranë.
Objektivi kryesor i “Black Hawk”, përmbushja e detyrave ushtarake
RELATED ARTICLES