Ka nisur sot peticioni për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Zveçanit, ndërsa nga ora 9:00 e mëngjesit deri në orën 10:30 kur po raporton ekipi i KosovaPress është vërejtur numër i konsiderueshëm i qytetarëve që kanë dalë për ta nënshkruar peticionin. Darko Vukashinoviq, iniciator i peticionit në këtë Komunë, ka ftuar qytetarët e kësaj Komune që të dalin në numër sa më të madh për ta larguar, siç e quajti ai, uzurpatorin nga Komuna. Ai u shpreh i bindur se do të përmbyllet numri i nevojshëm i nënshkrimeve që është 1 mijë e 411. Qytetarët nuk kanë pranuar të flasin rreth peticionit. Mësohet se edhe në Zubin Potok ka nisur sot peticioni dhe qytetarët atje janë përgjigjur masivisht. Ndryshe, që peticioni të jetë i suksesshëm në Zubin Potok, duhet të nënshkruajnë së paku 1 mijë e 347 votues, që është 20 për qind nga 6 mijë e 732 të votuesve të regjistruar.