Kostoja e arsimimit, refuzimi në rritje i martesës apo edhe migrimi ishin ndër arsyet e qenësishme të rënies së numrit të popullsisë kineze, që u përshpejtua edhe në vitin 2023, sipas të dhënave zyrtare të publikuara sot, çka zgjat një rënie që filloi në vitin 2022, pas gjashtë dekadash rritjeje. Për një kohë të gjatë, vendi më i populluar në botë, Kina humbi titullin e saj ndaj Indisë vitin e kaluar, sipas OKB-së. Kjo prirje rënëse pritet të vazhdojë edhe gjatë dekadave të ardhshme. Përballë krizës së parashikuar demografike, qeveria po kërkon rritjen e nivelit të lindjeve dhe autoritetet lokale tani po paguajnë më shumë ndihma familjare – të cilat mbeten modeste dhe pa shumë efekt për momentin. ”Në fund të vitit 2023, popullsia kombëtare ishte 1 409 670 000 banorë ose një rënie prej 2,08 milionë krahasuar me fundin e vitit 2022”, njoftoi sot Byroja Kombëtare e Statistikave (NBS). Rënia e vitit të kaluar ishte më shumë se dyfishi i vitit 2022, kur vendi humbi 850 000 banorë dhe popullsia e tij u tkurr për herë të parë që nga vitet 1960. Shifra përfshin vetëm individë me kombësi kineze që banojnë në territorin e Kinës. Ai nuk përfshin të huajt ose banorët e territoreve gjysmë autonome të Hong Kongut dhe Makaos. “Në vitin 2023, numri i lindjeve ishte 9,02 milionë”, njoftoi gjithashtu BNS të mërkurën, një shifër më poshtë krahasuar me 9,56 milionë në 2022.
Kina po përjeton rënie të ndjeshme të popullsisë
RELATED ARTICLES