Parku Kombëtar i Thethit, i gjendur mes Alpeve në veri të Shqipërisë, është shndërruar këto ditë dimri në një panoramë mahnitëse ku bardhësia e dëborës ndërthuret me natyrën. Parku Kombëtar i Thethit ndodhet rreth 70 km larg Shkodrës. Ai është i vizitueshëm në katër stinët, ku në pranverë dhe verë për gjelbërimin e rrallë, në dimër për bardhësinë e dëborës dhe për lojërat aventureske me të, ndërsa vjeshta për ngjyrat mahnitëse dhe begatinë në frutikulturë. Vizitorët në këtë park mund të shijojnë peizazhin e mrekullueshëm si dhe të eksplorojnë shtigjet interesante që janë atraktive për turistët e aventurës. Përveç kanionit, në Theth gjenden një numër i konsiderueshëm shpellash, por ato që kanë tërhequr vëmëndjen e shumë alpinistëve, speleologëve, gjeografëve, janë Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, të cilat me përmasat e tyre dhe dukuritë interesante që mbartin brenda tyre si liqenet nëntokësore, galeri, sifone etj., janë bërë shkak i shumë legjendave të krijuara nga vetë banorët e zonës.