Bordi Drejtues i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) përfundoi konsultimet mbi Artikullin IV me Shqipërinë dhe miratoi raportin e stafit të misionit, pa nevojën e zhvillimit të një mbledhjeje, një praktikë e përshpejtuar që ndodh në rastet kur Bordi vlerëson se nuk janë të domosdoshme diskutimet. Ekonomia shqiptare është shfaqur si një nga performuesit më të fortë në rajon, konstaton në hyrje të raportit për Shqipërinë Fondi Monetar Ndërkombëtar, duke shtuar se roli në rritje i turizmit ka shtuar besimin te perspektiva ekonomike e vendit. Në raport, FMN konstaton se “Autoritetet shqiptare e kanë drejtuar me sukses ekonominë përmes goditjeve të njëpasnjëshme, falë politikave të duhura makroekonomike.” Gjithashtu, Fondi Monetar Ndërkombëtar vëren se perspektiva e anëtarësimit në BE mund të ofrojë një shtysë shtesë për të adresuar sfidat strukturore afatgjata. Ekonomia vazhdon të zgjerohet me ritme të forta, konstaton më tej FMN, e cila parashikon se për vitin 2024, ekonomia shqiptare do të rritet me 3.3%. FMN thekson në raport se “dhjetë muajt e parë të vitit 2023 kanë sjellë një pozicion fiskal shumë më të përmirësuar.” Eksportet e larta të shërbimeve, investimet e huaja direkte dhe remitancat sollën një përmirësim të pozicionit të llogarisë korente dhe mbiçmim të Lekut, vlerëson në dokument FMN. Në parashikimin për perspektivat e rritjes, FMN projekton që “rritja, ndonëse më e moderuar, parashikohet të mbetet e fortë, mbështetur nga kërkesa në shërbime dhe investimet e huaja direkte”. Sa i përket bilancit të llogarisë korente, FMN vlerëson se është në rrugën e duhur për t’u përmirësuar në vitin 2023, ndikuar nga flukset e forta hyrëse të lidhura me turizmin.
FMN: Ekonomia shqiptare, një nga performuesit më të fortë në rajon
RELATED ARTICLES