Normat tavan të interesit për kreditë e vogla konsumatore kanë pësuar një rënie të ndjeshme për gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma efektive maksimale e interesit (NEI maksimal) për kreditë konsumatore në lekë, për shumat deri në 200 mijë lekë është ulur në 100%, nga 118.96% që kishte qenë deri në fund të vitit të kaluar. Norma efektive maksimale e interesit përfshin normën nominale të interesit, komisionet e aplikuara nga huadhënësi dhe të gjitha kostot e kredisë që i transferohen klientit. Gjithmonë për shumat deri në 200 mijë lekë, NEI maksimal për overdraftet (paradhëniet) është ulur në 18.6%, nga 18.95% që kishte qenë në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar. Për kartat e kreditit, NEI maksimal do të jetë 27.4%, nga 28.23% që kishte qenë për 6-mujorin e dytë të vitit të kaluar. NEI maksimal për kreditë nga 200 mijë lekë deri në 600 mijë lekë ka pësuar gjithashtu një ulje të ndjeshme në 40.6%, nga 47.07% që kishte qenë deri në fund të vitit të kaluar. Për ovedraftet në intervalin 200-600 mijë lekë, NEI maksimal është rritur në 17.55%, nga 17.15% që kishte qenë në 6-mujorin paraardhës. Ndërsa për kreditë me vlerë nga 600 001 deri në 2 000 000 lekë NEI maksimal është ulur ndjeshëm në 15.6%, nga 17.27% që kishte qenë deri në fund të vitit 2023. Aplikimi i një norme tavan interesi për kreditë konsumatore në Shqipëri nisi në fillim të vitit të vitit 2022. Sipas Bankës së Shqipërisë, arsyeja kryesore ishte mbrojtja e konsumatorit nga normat potencialisht abuzive të interesit, të aplikuara kryesisht nga disa institucione financiare jobanka.
Normat e interesit të kredisë konsumatore, në rënie
RELATED ARTICLES