Rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2023 ishte 4.8 % nga 6.7 % që ishte në vitin 2022. Instituti i Statistikave publikoi sot Indeksin e Çmimeve të Konsumit, sipas të cilit inflacioni shkoi në 4 % në muajin dhjetor duke shënuar një rritje të lehtë me 0.5 % krahasuar me muajin nëntor, por 3.6 % më i ulët krahasuar më muajin dhjetor të vitit 2022. “Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin dhjetor 2023 është 4 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 7.4 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin dhjetor 2023, krahasuar me nëntor 2023 është 0.5 %. Rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2023 është 4.8 % nga 6.7 % që ishte në vitin 2022”, thuhet në raportin e INSTAT-it. Krahasuar me muajin dhjetor 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” me 6.7 %, pasuar nga grupet “argëtim dhe kulturë” me 5.4 %, “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 4.6 %, “hotele, kafene dhe restorante” me 4.4 %, “pije alkoolike dhe duhan” me 4.3 %, “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3.4 %, “veshje dhe këpucë” me 3 %, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2.6 %, “shërbimi arsimor” me 2.3 %, “shëndeti” me 1.2 % dhe “komunikimi” me 0.3 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “transporti” shënuan ulje me 3.3 %. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 20.8 %, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 10.9 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 6.7 %, “mish” me 5.5 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 2.7 %, “peshk” me 2.4 %, etj.
Rritja mesatare vjetore e çmimeve në 2023, 4.8 %
RELATED ARTICLES