Edicioni i dytë i Javëve Kulturore Ndërkombëtare i solli Tiranës por edhe shumë prej qyteteve të vendit, një atmosferë të jashtëzakonshme. Javët kulturore sollën shkëmbim e njohje mes pjesëmarrësve si dhe atmosferë festive e krijuar përgjatë muajve prill-nëntor 2023. Përgjatë edicionit të dytë Shqipëria mikpriti 18 shtete dhe organizata ndërkombëtare me kulturat, traditat dhe eksperiencat e tyre. 512 artistë të huaj në 288 aktivitete gjallëruan jetën artistike e kulturore, jo vetëm në Tiranë, por edhe Shkodër, Korçë, Vlorë etj. Javët Kulturore Ndërkombëtare (JKN) ishte një nismë e Ministrisë së Kulturës për të sjellë në Shqipëri tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e vendeve të ndryshme të botës. E konceptuar si një paradë kulturore ndërkombëtare, e shtrirë përgjatë gjithë vitit, JKN ishte vazhdimi, përfshirja dhe unifikimi nën një brand i një tradite disavjeçare të organizimit të javëve, dedikuar bashkëpunimit kulturor. Në edicionin e parë, në vitin 2022, Javët Kulturore Ndërkombëtare angazhuan mbi 700 artistë.