Qeveria e qendrës së djathtë e kryeministres franceze, Élisabeth Borne ka dhënë dorëheqjen, tha dje në mbrëmje vonë pallati presidencial. Masa vjen në lidhje me grindjet politike mbi një ligj të diskutueshëm migracioni që synon të shtrëngojë kontrollet shtetërore mbi të dhe të përmirësojë integrimin. Legjislacioni i miratuar muajin e kaluar shkaktoi polemika në vetë partinë e presidentit Emmanuel Macron, me 20 vota kundër dhe 17 abstenime. Ministri i Shëndetësisë, Aurélien Rousseau dha dorëheqjen në shenjë proteste dhe anëtarë të tjerë të kabinetit të krahut të majtë thuhet se kishin menduar gjithashtu të largoheshin nga qeveria. Borne ka qenë kryeministër që nga mesi i majit 2022. ”Pasardhësi i saj pritet të emërohet nesër”, tha Pallati Élysée dje në mbrëmje vonë. Macron falënderoi Borne për shërbimin e saj “shembullor”, guximin dhe përkushtimin ndaj kombit. “Faleminderit nga zemra”, ka shkruar ai në platformën e rrjeteve sociale X, e njohur më parë si Twitter. Qeveria në largim është gjendur në situatën e vështirë për të mos pasur më një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare në 18 muajt e fundit. Ajo ka qenë e varur nga votat e opozitës për projektet e saj. Si kryeministër, Borne u përpoq pa u lodhur të gjente kompromise. Megjithatë, qeveria nuk gjeti një partner të besueshëm në parlament. Projekti thelbësor i reformës së pensioneve të Macronit u shty përfundimisht nga qeveria pa një votim përfundimtar në Asamblenë Kombëtare. Pritet që Macron të përpiqet të ecë përpara me një kryeministër të ri dhe kabinet të ri dhe të mbajë kampin e tij së bashku me synimin drejt zgjedhjeve për Parlamentin Evropian që do të vijnë në pranverë. Partia nacionaliste e krahut të djathtë ”Rassemblement National” e Marine Le Pen duket se do të bëjë më mirë se partia ”Rilindja” e Macron në zgjedhjet evropiane në qershor. Me Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike në Paris këtë verë, Franca gjithashtu përballet me një sfidë organizative – në një moment në të cilin vendi dëshiron të shfaqet i bashkuar dhe i aftë për veprim vendimtar.