Parku Natyror i Qafështamës paraqet jo vetëm një pikturë të mrekullueshme natyrore, por edhe një zonë që ofron gjithçka; qetësi, shtigje, shumëllojshmëri bimësh, ujë burimi dhe shumë pasuri të tjera. Për më tepër, parku Natyror i Qafështamës ndodhet fare pranë kryeqytetit, lehtësisht i arritshëm për të gjithë adhuruesit e natyrës por edhe për t’iu larguar qoftë edhe për një fundjavë monotonisë së qytetit. Ndodhet në verilindje të qytetit të Krujës, në jug të malit të Skënderbeut, në qafën midis këtij mali dhe malit të Xibrit. Vargjet malore ndërpriten tërthor nga luginat lumore të përrenjve Zezës dhe Drojës, që formojnë në gryka të thella e tepër të ngushta që presin vetëm vargun Krujë-Dajt. Qafa Shtama e ndan vargun nga Mali i Xibrit. Në pellgun e Qafë Shtamës zënë fill dy përrenj me drejtim të kundërt, përroi i Qafë Shtamës dhe një degë e Lumit të Zezës. Bimësia në përgjithësi është e pasur dhe e shumëllojshme, me shtrirje vertikale shumë të qartë. Parku shquhet për pyjet e tij të dominuara nga Pisha e Zezë dhe Ahu në lartësitë mbi 800900m ose me dushqe dhe shkozë poshtë këtyre lartësive. Janë identifikuar disa lloje amfibësh dhe zvarranikësh mes të cilëve dhe salamandra. Nga shpendët takohen bufi, shqiponja e malit, huta grerëzangrënëse, krahëthati, gjeraqina, qukapiku i zi, korbi, thëllëza e malit, pëllumbat e egër, mëllenja, shapka malit etj. Parku është bërthamë për gjitarët e mëdhenj, si ariu, ujku, dhelpra, kaprolli, kunadhja, derii i egër, lepuri i egër, ketri, nuselala. Ndër burimet ujore përmendet Çezmja e Nënës Mbretëreshë, me ujë të pastër, të ftohtë dhe kurativ. Ndaj aty u ngrit qendra e kurimit të sëmundjeve të mushkërive. Njëherazi, vlerat e mëdha turistike lidhen edhe me pamjet spektakolare të majave të larta mbresëlënëse, të pishës dhe të ahut.