Importi i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, një tregues direkt i investimeve në ekonomi shënoi rritje me 3.3 % gjatë 11-mujorit të këtij viti, duke arritur në 194.4 miliardë lekë nga 166.5 miliardë lekë që ishin në 11-mujorin e 2022-shit. Importi për mallrat bazë të industrive prodhuese, lidhet me zgjerimin e aktivitetit të këtyre sektorëve dhe interesin në rritje të sipërmarrjes për përdorimin e teknologjive bashkëkohore që përmirësojnë cilësinë e prodhimit. Referuar të dhënave të INSTAT-it, Italia, Kina dhe Gjermania janë partnerët kryesore me volumin më të madh në vlerë të importit të kësaj kategorie. Gjithsej nga Italia gjatë 11-mujorit u importuan rreth 37.5 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi. Nga Kina u importuan 42 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi. Ndërsa nga Gjermania u importuan 31 miliardë lekë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi. Investimet e huaja direkte vijojnë të qëndrojnë në nivele historike edhe për tremujorin e tretë të vitit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë flasin për një fluks investimesh të huaja, të cilat arrijnë vlerën e 404 milionë eurove, me një rritje prej 7.1% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit. Vlera progresive e investimeve të huaja direkte arriti në 1 miliard e 88 milionë euro.