Qeveria shqiptare ka vendosur që bonusi i bebeve të shkojë tek familjet që jetojnë në Shqipëri. Në një vendim të miratuar sot nga Këshilli i Ministrave, janë bërë disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”. Sipas ndryshimeve bonusi i bebes do të përfitohet nga prindi/prindërit e foshnjës së porsalindur, shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, të paktën 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë kalendarike të vitit paraardhës, sipas të dhënave të sistemit TIMS dhe të regjistruar sipas afateve ligjore të përcaktuara në ligjin për gjendjen civile. “Prindi/prindërit me shtetësi tjetër, të cilët janë rezidentë të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë, të cilëve nga shteti shqiptar u është dhënë statusi i refugjatit, i mbrojtjes plotësuese ose i azilkërkuesit dhe vendosin t’i japin foshnjës shtetësi shqiptare, sipas ligjit për shtetësinë shqiptare, dhe e regjistrojnë si shtetas shqiptar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile”, thuhet në vendim. Për përfitimin e ndihmës së menjëhershme financiare për foshnjat e porsalindura, në çdo rast, prindi/prindërit, krahas dokumentacionit të përcaktuar në këtë vendim, paraqesin edhe formularin e vetëdeklarimit, që jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas aneksit nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. Qëllimi i politikës së shpërndarjes së bonusit të bebes është që të mbështesë familjet të cilat jetojnë dhe kontribuojnë në Republikën e Shqipërisë, duke i dhënë atyre një shpërblim financiar për të përballuar shpenzimet e lidhura me sjelljen në jetë të fëmijëve.