Këshilli i Ministrave përcaktoi statusin, mënyrat e pjesëmarrjes dhe masën e dietës ditore për vështirësi shërbimi të personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Abeyi (UNISFA). Pjesëmarrja e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Abyei, në kufirin midis Sudanit dhe Sudanit të Jugut, do të ketë një kohëzgjatje prej 3 vjetësh, me rotacion deri në 365 ditë. Afati i misionit fillon të llogaritet nga data e dërgimit në mision. Po ashtu, periudhës së qëndrimit në mision i shtohen edhe ditët e qëndrimit për marrje e dorëzim detyre dhe të vonesave të transportit strategjik për ndërrimin me personelin e radhës. Statusi i personelit të Forcave të Armatosura në këtë mision është sipas Marrëveshjes së Statusit të Forcave (SOFA), të datës 20 nëntor 2012, ndërmjet Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe qeverisë së Republikës së Sudanit të Jugut. Sipas vendimit, Ministria e Mbrojtjes, për personelin pjesëmarrës në këtë mision, përballon shpenzimet për dietat për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 lekë në ditë, përveç pagës mujore; sigurimin e jetës; transportimin për në atdhe të individëve të shkëputur të misionit në rast vdekjeje, sëmundjeje, pamundësie për të përfunduar misionin ose thyerjeje disipline; si dhe çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së misionit. Vendimi parashikon gjithashtu se transportimi për në atdhe i individëve të shkëputur nga misioni në rast vdekjeje, sëmundjeje, pamundësie për të përfunduar misionin ose thyerjeje disipline përballohet nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, përveç rasteve kur do të arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dy ose shumëpalëshe, ku pala tjetër merr përsipër përballimin e këtyre shpenzimeve. Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes bën sigurimin e jetës për ushtarakët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët marrin pjesë në këtë mision.