Sunday, November 24, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTURE Poradeci, liriku më i madh i letërsisë shqipe

 Poradeci, liriku më i madh i letërsisë shqipe

Njeriu që i këndoi si askush tjetër liqenit e ndjenjave njerëzore, edhe sot, në këtë 124-vjetor të lindjes, vazhdon të jetë krenaria e qytetit të tij, Pogradecit por edhe e gjithë shqiptarëve. Ai lindi në një familje me tradita atdhetare. Në moshën 10-vjeçare shkoi për studime në Manastir dhe më vonë në Athinë, ku mbaroi liceun. Më 1921 ai shkoi në Rumani, për të ndjekur studimet e larta. Në Bukuresht ai u lidh me Lëvizjen Atdhetare të Kolonisë Shqiptare, u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe sekretar i përgjithshëm i Kolonisë. Në verën e vitit 1924 Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe kështu arriti t’i përfundojë studimet e larta në Grac (Austri) në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane. Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë. Lasgushi nuk bëri kurrë kompromise me artin e tij, duke i kushtuar kjo një gjendje jo të mirë ekonomike dhe indiferentizëm nga shtypi zyrtar i kohës. Pas vdekjes së poetit (12 nëntor 1987) dhe ndërrimit të sistemit, vargu Lasgushian është dhe vijon të jetë ushqim për brezat. Poradeci është autor i dy vëllimeve me poezi “Vallja e yjeve” më 1933 dhe “Ylli i zemrës” më 1937, botuar në kryeqytetin rumun. Autor i më se 100 poezish, një pjesë prej të cilave edhe poezi dashurie. Pëlqyes i fjalëve arkaike, shprehive popullore po aq sa i fjalëve të reja dhe eksperimenteve leksikore. Kuteli që i redaktoi “Yllin e zemrës” e quajti “Poeti i vetëm shqiptar që mendoi, foli dhe shkruajti vetëm në gjuhën shqipe”. Për Lasgushin është shkruar dhe ka patur botime të panumërta. Kanë shkruar historianët e letërsisë, kritikët, eseistët, gjuhëtarët, pedagogë, shkrimtarë e gazetarë. Një vit më parë, për të nderuar figurën e poetit të liqerit, falë një fondi të posaçëm, Ministria e Kulturës dakordësoi me pasardhëset e Lasgush Poradecit, blerjen e bibliotekës personale të tij, për ta bërë pjesë të Bibliotekës Kombëtare. Gjithsej 650 tituj librash në gjuhë të huaj, por edhe shqip, që janë përdorur nga poeti, qe mbajnë shënimet e tij apo autografët e dhuruesve. Një bibliotekë e paçmueshme, që tashmë i shërben studiuesve dhe studentëve.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments